-0.7 C
New York
3 Mars 2021
Kulture Magazine

Një tavolinë është një tavolinë Nga Hysni Ndreu!

  • TREGIM- Nga Hysni Ndreu!

Dua t’ju rrëfej për një të moshuar, për një burrë, i cili prej kohësh nuk flet më asnjë fjalë, ka një fytyrë të lodhur, shumë të lodhur për të qeshur dhe shumë të lodhur për të qenë i keq. Jeton në një qytet të vogël, në fund të rrugës, ose në afërsi të kryqëzimit. Është thuajse e kotë të bësh një përshkrim të tijin, vështirë të gjesh diçka ndryshe prej të tjerëve. Mban një kapelë ngjyrë gri, pantallona gri, një xhaketë gri, në dimër pallton e gjatë gri, si dhe ka një qafë të hollë me lëkurë të thatë e të rrudhur, së cilës jakat e bardha të këmishës i rrinë shumë të gjera.

Dhoma e tij ndodhet në katin e sipërm të shtëpisë, ndoshta ka qenë i martuar dhe ka pasur fëmijë, ndoshta jetonte më përpara në ndonjë qytet tjetër. Me siguri edhe ai ka qenë fëmijë dikur, por kjo ishte në kohën kur fëmijët visheshin si të rritur. Këtë mund ta dallosh tek albumet me fotografi të gjysheve. Në dhomën e tij gjenden dy karrige, një tavolinë, një qilim, një krevat dhe një dollap rrobash. Mbi një tavolinë të vogël ndodhet një orë me zile, pranë saj gazeta të vjetra dhe një album fotografish, në mur varen një pasqyrë dhe një fotografi.

Burri i moshuar bënte një shëtitje në mëngjes dhe një shëtitje pasdite, shkëmbente ndonjë fjalë me fqinjin dhe në mbrëmje ulej në tavolinë.

Kjo nuk ndryshonte kurrë, madje edhe të dielave qe kështu. Dhe, kur burri ulej në tavolinë, dëgjonte tiktakun e orës me zile, gjithmonë e dëgjonte tiktakun.

Pastaj erdhi një ditë e veçantë, një ditë me diell, as shumë nxehtë, as shumë ftohtë, me cicërima zogjsh, me njerëz miqësorë, me fëmijë që luanin – dhe, më e veçanta ishte se, papritur, burrit i pëlqeu e gjitha kjo.

Ai buzëqeshi.

“Tani do të ndryshojë gjithçka”, mendoi. Zbërtheu kopsën e sipërme të këmishës, mori kapelën në dorë, shpejtoi hapat, madje ecte i shpenguar, dhe ishte i lumtur. Hyri në rrugën e tij, u tundi kokën fëmijëve, vajti përpara shtëpisë së vet, ngjiti shkallët, nxori çelësin nga xhepi dhe hapi derën e dhomës.

Por në dhomë gjithçka ishte e njëjtë: një tavolinë, dy karrige, një krevat. Ndërsa ulej, dëgjoi sërish tiktakun e orës dhe i gjithë gëzimi e lëshoi, sepse asgjë s’kish ndryshuar.

Dhe burri ishte shumë i zemëruar.

Pa në pasqyrë se si po i skuqej fytyra, pa se si iu picërruan sytë; pastaj mblodhi duart, i bëri grusht, i ngriti, goditi tavolinën, fillimisht vetëm një herë, pastaj edhe një, pastaj edhe një dhe vazhdoi të ulërinte:

“Diçka duhet të ndryshojë.” Dhe nuk e dëgjoi më tiktakun e orës. Pas kësaj nisën t’i dhembin duart, zëri iu mpak, pastaj e dëgjoi sërish tiktakun e orës, dhe asgjë nuk ndryshonte.

“Gjithmonë e njëjta tavolinë”, thoshte burri, “të njëjtat karrige, krevati, fotografia. Dhe tavolinës i them tavolinë, fotografisë i them fotografi, krevati quhet krevat, dhe karrigia emërtohet karrige. Përse kështu, në të vërtetë? Francezët i thonë krevatit ‘li’, tavolinës ‘tabl’, fotografinë e quajnë ‘tablo’ dhe karrigen ‘schäs’, dhe kuptohen me njëri-tjetrin. Edhe kinezët kuptohen ndërmjet tyre. ‘Përse krevati nuk quhet fotografi?’, mendoi burri dhe buzëqeshi, pastaj qeshi, qeshi, gjersa trokitën në derë fqinjët, të cilët thirrën ‘Qetësi!’”.

“Tashti po ndryshon”, bërtiti ai dhe prej këtij çasti nisi ta quante krevatin ‘fotografi’.

“Jam i lodhur, duhet të shtrihem në fotografi”, thoshte, dhe shpesh nisi të qëndronte mëngjeseve për një kohë të gjatë i shtrirë në fotografi dhe mendonte se si duhej t’i thoshte karriges, dhe e emërtoi karrigen ‘orë me zile’. Tashmë nisi të ëndërronte herë pas here në gjuhën e re, pastaj përkthente këngë nga vitet e shkollës në gjuhën e tij, dhe i këndonte për vete nën zë.

Kështu, u ngrit, u vesh, u ul mbi orën me zile dhe mbështeti krahët mbi tavolinë. Por, tavolina nuk quhej më tavolinë, quhej qilim. Pra, në mëngjes burri la fotografinë, u vesh, u ul në qilim mbi orën me zile dhe po mendonte se cilave sende mund t’u vinte emra dhe cilët do të ishin ata.

𝘒𝘳𝘦𝘷𝘢𝘵𝘪𝘯 𝘦 𝘲𝘶𝘢𝘫𝘵𝘪 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪.
𝘛𝘢𝘷𝘰𝘭𝘪𝘯ë𝘯, 𝘲𝘪𝘭𝘪𝘮.
𝘒𝘢𝘳𝘳𝘪𝘨𝘦𝘯, 𝘰𝘳ë 𝘮𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘦.
𝘎𝘢𝘻𝘦𝘵ë𝘯, 𝘬𝘳𝘦𝘷𝘢𝘵.
𝘗𝘢𝘴𝘲𝘺𝘳ë𝘯, 𝘬𝘢𝘳𝘳𝘪𝘨𝘦.
𝘖𝘳ë𝘯 𝘮𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘦, 𝘢𝘭𝘣𝘶𝘮 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪𝘴𝘩.
𝘋𝘰𝘭𝘭𝘢𝘱𝘪𝘯 𝘦 𝘳𝘳𝘰𝘣𝘢𝘷𝘦, 𝘨𝘢𝘻𝘦𝘵ë.
𝘘𝘪𝘭𝘪𝘮𝘪𝘯, 𝘥𝘰𝘭𝘭𝘢𝘱 𝘳𝘳𝘰𝘣𝘢𝘴𝘩.
𝘍𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪𝘯ë, 𝘵𝘢𝘷𝘰𝘭𝘪𝘯ë.
𝘋𝘩𝘦 𝘢𝘭𝘣𝘶𝘮𝘪𝘯 𝘮𝘦 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪, 𝘨𝘢𝘻𝘦𝘵ë.

Pra,

Të nesërmen, i moshuari ndenji për kohë të gjatë shtrirë mbi fotografi, në nëntë ra zilja e albumit të fotografive, burri u ngrit dhe qëndroi mbi dollapin e rrobave, që të mos i mërdhinin këmbët, pastaj mori rrobat nga pasqyra, u vesh, u pa në stolin e varur në mur, u ul në qilim mbi orë dhe nisi të shfletonte pasqyrën, deri kur gjeti tavolinën e nënës së tij.

Burrit i pëlqeu kjo gjë dhe u ushtrua gjatë gjithë ditës, me qëllim që të nguliste fjalët e reja. Tashmë gjithçka kish emër tjetër: vetë ai nuk ish më një burrë, por një këmbë, ndërsa këmba qe një mëngjes dhe mëngjesi një burrë.

Tani mund ta shkruani ju vijimin e historisë. Dhe, ashtu siç bëri i moshuari, mund të ndërroni edhe fjalët e tjera:

𝘣𝘪𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘫𝘢 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘵𝘩𝘰𝘵ë 𝘷𝘦𝘯𝘥𝘰𝘴,
𝘯𝘨𝘳𝘪𝘫 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘵𝘩𝘰𝘵ë 𝘴𝘩𝘰𝘩,
𝘳𝘳𝘪 𝘴𝘩𝘵𝘳𝘪𝘳ë 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘵𝘩𝘰𝘵ë 𝘣𝘪𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘫𝘢,
𝘳𝘳𝘪 𝘮ë 𝘬ë𝘮𝘣ë 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘵𝘩𝘰𝘵ë 𝘯𝘨𝘳𝘪𝘫,
𝘷𝘦𝘯𝘥𝘰𝘴 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘵𝘩𝘰𝘵ë 𝘴𝘩𝘧𝘭𝘦𝘵𝘰𝘫.

Pra, tani mund të thuhet: në burrë, këmba e moshuar ra për një kohë të gjatë në fotografi, në orën nëntë u vendos fotoalbumi, këmba u shkri dhe u shfletua në dollapin e rrobave, që të mos shihte nga mëngjesi.

I moshuari bleu fletore shkolle në ngjyrë të kaltër dhe i mbushi plot me fjalë të reja, dhe kishte shumë punë për të bërë, dhe në rrugë dukej gjithmonë e më rrallë. Pastaj mësoi shenjimet e reja për të gjitha sendet, dhe bashkë me këtë harroi përditë e më shumë emërtimet e duhura.

Tani kishte një gjuhë të re, e cila i përkiste vetëm atij. Por nuk vonoi dhe përkthimi nisi të bëhej i vështirë, ai e kish harruar thuajse tërësisht gjuhën e vjetër, dhe i duhej të kërkonte për fjalët e duhura në fletoren e kaltër. Dhe i shkaktonte frikë komunikimi me njerëzit. Duhej të mendohej gjatë se si u thoshin njerëzit gjërave.

𝘍𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪𝘴ë 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘬𝘳𝘦𝘷𝘢𝘵.
𝘛𝘢𝘱𝘦𝘵𝘪𝘵 𝘵ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘵𝘢𝘷𝘰𝘭𝘪𝘯ë.
𝘖𝘳ë𝘴 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘮𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘦 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘬𝘢𝘳𝘳𝘪𝘨𝘦.
𝘒𝘳𝘦𝘷𝘢𝘵𝘪𝘵 𝘵ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘨𝘢𝘻𝘦𝘵ë.
𝘒𝘢𝘳𝘳𝘪𝘨𝘦𝘴 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘱𝘢𝘴𝘲𝘺𝘳ë.
𝘈𝘭𝘣𝘶𝘮𝘪𝘵 𝘵ë 𝘵𝘪𝘫 𝘵ë 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪𝘷𝘦 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘰𝘳ë 𝘮𝘦 𝘻𝘪𝘭𝘦.
𝘎𝘢𝘻𝘦𝘵ë𝘴 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘥𝘰𝘭𝘭𝘢𝘱 𝘳𝘳𝘰𝘣𝘢𝘴𝘩.
𝘋𝘰𝘭𝘭𝘢𝘱𝘪𝘵 𝘵ë 𝘵𝘪𝘫 𝘵ë 𝘳𝘳𝘰𝘣𝘢𝘷𝘦 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘲𝘪𝘭𝘪𝘮.
𝘗𝘢𝘴𝘲𝘺𝘳ë𝘴 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘢𝘭𝘣𝘶𝘮 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪𝘴𝘩.
𝘛𝘢𝘷𝘰𝘭𝘪𝘯ë𝘴 𝘴ë 𝘵𝘪𝘫 𝘯𝘫𝘦𝘳ë𝘻𝘪𝘵 𝘪 𝘵𝘩𝘰𝘯ë 𝘧𝘰𝘵𝘰𝘨𝘳𝘢𝘧𝘪.

Dhe burri mbërriti gjer atje, sa të qeshte kur i dëgjonte njerëzit tek bisedonin me njëri-tjetrin.

Ai duhej të qeshte kur dëgjonte se si dikush thoshte: “Do të shkoni edhe ju nesër të luani futboll?”, ose kur dikush shprehej: “U bënë dy muaj tashmë që po bie shi.” Ose kur dikush thoshte: “Kam një xhaxha në Amerikë.”

Ai duhej të qeshte, sepse nuk kuptonte asgjë nga këto.

Por kjo nuk është një histori për të qeshur. Ajo nisi me trishtim dhe me trishtim mbyllet. I moshuari me pallton ngjyrë gri nuk i kuptonte më njerëzit, por kjo s’ish ndonjë gjë dhe aq e keqe.

Më e keqja ishte se ata nuk mund ta kuptonin më atë. Për këtë arsye nuk thoshte më asgjë.

Ai ishte i heshtur, fliste vetëm me vete, dhe nuk përshëndeti më kurrë.
Autor: Peter Bichsel
Përktheu nga Gjermanishtja
Hysni Ndreu!

Për – /Shqipnews.net / – Nga- Hamdi Skeja!

Related posts

Kinge si gjithmonë, Bianca vjen joshëse në projektin e parë (Video)

K.B

Alida Duka vjen si një ‘Red lady’ në duet me G-Bani

K.B

A do të dalë nga Përputhen nëse nuk vjen Andi? Zbulohet vendimi i Teas

Redaksia 2

Leave a Comment

two × three =