Nga; Arthur A. Kurtallari!
Luma, “troja” ilire buzë Drinit!
Helmeta ilire e zbuluar në Çinamakë të “Krahinës së Lumës” është padyshim thesari më i çmuar arkeologjik që e bën më të fortë lidhjen organike iliro-arbërore të këtij kombi. “Çinamaka” e Kukësit është kurora e artë e zbulimeve të lashta, e një qytetërimi të shtrirë gjërë-e-gjatë në rrjedhën spektakolare të Drinit plak. Helmeta është thirrja e fortë, një dhuratë prej Zotit, e ruajtur në baltën mjaltë të atdheut tonë, si pikë reference, orientimi e vetëdijësimi!
Duhet të jemi në pikën tonë më të ulët si komb, të mallkuar deri në gjamën më të rëndë e të verbuar deri në errësirën mesjetare të vëmë ende në diskutim prejardhjen tonë, me gjithë këtë trashëgimi arkeologjike, historike e njerëzore përreth nesh. Helmeta e zbuluar në Kukës është ekzaktësisht ajo që mbante greku i vetëm bjond në botë, Brad Pitt, në filmin që mban për titull një emër që shpjegohet vetëm në shqip, në filmin mbi Trojën.
Helmeta e zbuluar në Çinamakë është në fakt një ushtar ilir, një mbret ilir ose një shpirt ilir që vërtitet pa shpatë në dorë nëpër zyrat e shtetit, nëpër rrugët ku ecim e ngrysim jetët tona, pa mundur të fitojë i vetëm betejën e harresës, luftën mes tij dhe nesh.
Helmeta është ushtari ilir që orvatet çdo ditë të na zgjojë me thirrjen e tij që jehon përgjatë Luginës së Drinit, që tund Gjalicë e Pashtrik, por pa mundur të vrasë veshin tonë, të shurdhuar nga thirrje të pavlera, ëndrrash të pavlera, kohërash të pavlera.
Thesare ilire në Çinamakë të Kukësit
Nuk është vetëm “helmeta ilire” thesari i vetëm i gjendur në “Çinamakë” të Kukësit që e dëshmon “Luginën e Drinit” si një ndër vendbanimet dhe qytetërimet më të hershme ilire, por janë patjetër edhe këto vazo balte te punuara me mjeshtëri dhe të ruajtura deri në ditët tona si xhevahirë të trashëgimisë iliro-shqiptare.
Shikoni stilin unik të këtyre enëve, të pikturuara me figura të bukura, të cilat tregojnë se sa e përparuar ka qenë teknika e punimit të tyre, e pse jo, edhe jeta e atyre banorëve të vendosur pranë lumit të magjishëm të Drinit, tokave pjellore, ujit të bollshëm, vendosur krenarë në kryqëzimin e disa prej rrugëve antike që lidhnin kryeqendrat e kohës si Shkodra, Prizreni, Shkupi, Dibra, etj
Sot fatkeqësisht nuk prodhojmë dot as makarona, as gozhdë e as grurë, ndërsa zëri i këtyre enëve mijëra vjeçare jehon brigjeve të Drinit, si thirrje e dëshpëruar për të kthyer kokën pas, për të njohur veten tonë, prejardhjen tonë, vulën tonë ilire.
Pas dy mijë vitesh, në vend që të zhvillohemi më tej, jemi kthyer pas, duke premtuar ende ujë nëpër fushata elektorale!